Dyshimet e prokurorëve ndërkombëtarë, se politikani serb Oliver Ivanoviç ka kryer krime gjatë luftës në Kosovë, mbështeten fort nga të mbijetuarit e njërës prej masakrave më të rënda në Mitrovicë.

Shefqet dhe Fatime Pllana ishin dëshmitarë, kur paraushtarakët serb, të udhëhequr nga Oliver Ivanoviç, pushkatuan 20 burra, pasi i ndanë nga gratë dhe fëmijët, më 14 Prill 1999.

Viktima janë dy djemtë e çiftit Pllana, dhëndri dhe një mik i familjes. Lufta i detyronte të grumbulloheshin të gjithë në një kulm. Arrestimi i Ivanoviç është një hap drejt një të vërtete, shumë të vonuar tashmë për prindërit, të cilët si shenjë kujtimi nga djemtë ruajnë fotografitë dhe një orë dore.

Familja Pllana thotë se e di mirë se kush punoi e kush jo në këto 15 vite, që ngjarja të zbardhet. Kritika të mëdha shkojnë në adresë të prokurorit amerikan, Michael Portman, si proserb, dhe falenderime për kontributin personal të një pjesëtari të xhandarmërisë franceze.

Që është punuar fare pak në zbardhjen e këtij krimi tregon edhe fakti, se familja Pllana tani vonë ka dhënë deklaratë për masakrën e 14 Prillit në Policinë e Kosovës. E ndërsa kthehen 15 vjet pas, për të kujtuar atë që kishin përjetuar, këtu nuk mund të mos përmenden me emër e mbiemër fqinjët serb, si pjesëmarrës në aktet barbare. Disa prej tyre, sot jetojnë të lirë në veri të Mitrovicës.

E deri në kohën kur drejtësia të thotë fjalën e saj, familjarët e viktimave gjejnë ngushëllim në atë pak kontribut, që ka dhënë shteti në nderim të këtyre viktimave, emërtimin e kësaj rruge “Martirët e Kombit”.

Top Channel