Edhe pse protesta e së dielës, e organizuar nga opozita maqedonase, ishte drejtuar kundër qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme, disa nga drejtuesit e partive të koalicionit opozitar, në fjalimet e tyre përdoren edhe deklarata antishqiptare.
Andrej Zhernovski, nga partia Lideral-Demokrate, gjatë fjalës së tij pyeti publikisht ministren e Brendëshme, Gordana Jankullovska, pse nuk i hoqi nga rrugët flamujt shqiptarë, gjatë festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në Shkup, dhe pse policia nuk ndërhyn për të larguar tabelat, me emrat e heronjve shqiptarë, nga shkollat fillore në Shkup.
Fjalim, me tone provokuese për shqiptarët, mbajti edhe Stojanço Angellov, drejtues i partisë “Dinjiteti”, që tubon rreth vetes veteranët maqedonas të konfliktit të vitit 2001. Para turmës së protestuesve, Angellov i quajti ekstremistë, ish-ushtarët e UÇK-së.
“Në vitin 2001 kam luftuar kundër ekstremistëve shqiptarë, ndërsa tani jam duke luftuar kundër propagandës ekstremiste të VMRO-DPMNE-së. Kjo parti, që sot është në qeveri, i harroi ata që e mbrotjën Maqedoninë. Kjo qeveri e burgosi edhe Lube Boshkovskin, njeriun që në vitin 2001 udhëhoqi policinë maqedonase në luftën kundër ekstremistëve të armatosur shqiptarë”, tha Stajanço Angellov.
Edhe pse marshi protestues ishte parashikuar të përfundonte para godinës së Ministrisë së Brendshme, mbështetësit e opozitës maqedonase ndaluan para banesës së kryeministrit Nikolla Gruevski, që ndodhet disa metra larg ndërtesës së MPB-së.
“Marshimi i sotëm protestues ishte parashikuar të përfundonte para selisë së MPB-së, sepse kjo është logjike në një shtet policor, por siç e shihni kjo është e pamundur, sepse policia nuk na lejon të afrohemi. Por, nuk gabuan shumë, sepse ndaluam këtu, para banesës ku jeton Nikolla Gruevski, njeriu që mban përgjegjësi për rrënimin e demokracisë në vend”, tha Branko Cërvenkovski, kryetar i LSDM-së.
Cërvenkovski shprehu edhe një herë vendosmërinë e tij, për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme pasi, sipas tij, kryeministri Gruevski ka humbur legjitimitetin për të qeverisur, pas ngjarjeve të dhunshme që ndodhën në Kuvend, muajin e kaluar.
Top Channel