Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj janë dy prej emrave, në mesin e qindra të tjerëve, që janë propozuar për anëtarë të Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila po vazhdon të mbajë Konventën e 6-të Zgjedhore.
Siç dihet, ish-ministri i Transportit, Fatmir Limaj, nuk ka pasur mundësi të jetë prezent në konventën e partisë, për shkak se ai po mbahet në paraburgim, nën akuzën për krime lufte.
Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nuk ka dashur të marrë pjesë në punimet e Konventës, derisa në një letër publike, drejtuar opinionit, është shprehur se do të njoftojë me kohë për veprimet e tij në të ardhmen.
Këshilli Drejtues i PDK-së do të ketë 110 anëtar, ndërsa votimi do të zhvillohet gjatë së dielës, kurse rezultatet pritet të bëhen të ditura të hënën. Në vazhdim të punimeve të Konventës, kryetari i porsazgjedhur i PDK-së, Hashim Thaçi, gjatë diskutimeve për ndryshimet në Statut, ka propozuar profilizimin ideologjik të partisë.
“Propozoj që PDK të profilizohet si parti e Qendrës së Djathtë”, ka thënë Thaçi. Vetëm dy delegatë, nga rreth 720, kanë qenë kundër këtij profilizimi, të gjithë të tjerët e kanë mbështetur.
Top Channel