Mijëra qytetarë të Kosovës protestuan të shtunën për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Ata bënë thirrje për ndërprerjen e negociatave Kosovë-Serbi.

Protestes iu bashkuan edhe pjesëtarë të shoqerisë civile nga Lugina e Presheves, të cilët kërkuan nga Tirana zyrtare që të respektojë kushtetutën, ndërsa nga Prishtina në vend të kritikave të ofrojë ndihmë për shqiptarët.

Protestuesit fillimisht u mblodhën në oborrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të, për të vazhduar nëpër rrugët kryesore të Prishtinës.

Pankartat që mbanin në duar përmbanin thirrje për kthimin e lapidarit të UÇPMB-së në qendër të Preshevës, si dhe për të ndalur spastrimin etnik të shqiptarëve në Luginë. Portreti i kryeministrit të Serbisë Ivica Daçiç, mbi të cilin ishte shkruar “fashist”, ishte në duar të shumë protestuesve.

Ndërkaq, në qendër të kritikave ndodhej kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. “Me hajna nuk ka shtet. Thaçin e japim, Luginën s’e japim”, tha një protestues.

Protestuesve i priu kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe deputetët e tjerë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje. Ndërsa policia e Kosovës ishte kujdesur që të bllokonte qarkullimin në të gjitha rrugët nga do të kalonin protestuesit.

Turma vazhdoi të zhvendosej përgjatë rrugëve kryesore të kryeqytetit kosovar, për t’u mbledhur pas afër një ore në sheshin Nënë Tereza. Albin Kurti bëri thirrje për ndërprerjen e bisedimeve dhe koalicionin, siç e quajti ai, Thaçi-Daçiç.

“Ky kryeministër, që thoshte se për lapidarin duhet gjendur një marrëveshje me Serbinë, është i pandershëm e i paftytyrë. Ai akuzoi shqitparët e Preshevës, që kërkoi të çarmatoseshin, se tani, me duar në xhepa, duhet të mbronin lapidarin. Kjo protestë është kundër koalicionit Thaçi-Daçiç, kundër qeverisë dhe për të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, deklaroi Kurti.

“Presheva nuk kërkon mëshirë nga Prishtina e Tirana, por që ato të zbatojnë kushtetutën dhe ligjet dhe të tregohen të ndershme”, tha pas tij Belgzim Kamberi, pjesëtar i shoqërisë civile nga Lugina e Preshevës.

Kjo protestë u organizua pak ditë pasi xhandarmëria serbe hoqi lapidarin e UÇPMB-së nga Presheva. Protesta përfundoi rreth orës 16:00 dhe protestuesit u shpërndanë të qetë.

Top Channel