
Trupat qeveritare të Malit të mbështetura fuqimisht nga ato franceze vazhdojnë përparimin në territoret veriore të vendit afrikan dhe nga raportimet e para nga terreni nuk flitet për rezistencë serioze.
Një zëdhënës i trupave franceze që ndodhen në ish-koloninë e Parisit në Afrikën Perëndimore, tha për agjencinë e lajmeve AFP se aeroporti dhe një urë strategjike në qytetin e Gaos, janë nën kontrollin e forcave qeveritare.
Më herët, trupat franceze dhe ato vendase morën kontrollin në qytetin e Homborit, 160 kilometra në jug-perëndim të Gaos. Ky i fundit, së bashku me Timbuktunë konsiderohen si fortesa të rebelëve. Të dy këto qytetet ranë në kontrollin e një aleance mes rebelëve tuaregë dhe ekstremistëve islamikë në muajin prill të vitit të kaluar.
Gjatë javës trupat franceze kanë bombarduar depot e armatimit dhe pika të tjera strategjike të logjistikës së rebelëve, ndërkohë që raportimet thonë se këta të fundit kanë hedhur në erë një urë që lidh Malin me Nigerin, nga ku mendohet se trupat e vendeve të rajonit të Afrikës Perëndimore të hapnin një front të ri lufte.
Top Channel