Fondi Monetar Ndërkombëtar kritikoi qeverinë shqiptare për situatën e fundit të krijuar pas heqjes së liçencës së kompanisë CEZ.

Shefi i misionit për Shqipërinë, Nadeem Ilahi, deklaroi në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se kjo çështje, borxhi i lartë dhe mosrealizimi i privatizimit të Albpetrolit mund të kenë pasoja për ekonominë shqiptare.

Borxhi është shumë i lartë, ndoshta më i larti në rajon. Kjo në vetvete paraqet problem për rritjen ekonomike në të ardhmen dhe rreziqe të tjera. Problemi tjetër është se gati gjysma e borxhit të Shqipërisë është afatshkurtër. Ai maturohet brenda 12 muajsh. Një faktor tjetër që ndikon është se borxhi i brendshëm, 70 përqind e tij mbahet nga sistemi bankar, që në vetvete është në pronësi të lartë të bankave të huaja, që nga ana e tij ka qënë nën presionin e krizës financiare evropiane. Këshilla jonë për autoritetet ishte që të tregojnë kujdes në ndjekjen e këtyre lidhjeve. Mund të mos ndodhë asgjë por klima financiare në Evropë mund të sjellë një rrezik më të madh me këtë përqindje kaq të lartë të borxhit.

Albpetroli ishte një çështje që e diskutuam kur ishim në tetor. Pra, siç e dini, privatizimi nuk ndodhi. Qeveria po kërkon tani të privatizojë disa hidrocentrale por kjo nuk është ndonjë shumë e madhe. Por ulja e borxhit duhet të vijë përmes buxhetit. Këshilla jonë ka qënë se duhet të merren masa për shkurtimin e shpenzimeve dhe rritjen e të ardhurave për ta mbajtur borxhin gjatë 2013-s në të njëjtin nivel që është sot dhe më pas të zvogëlohet gradualisht. Ne kemi theksuar se vitet e mëparshme presionet fiskale kanë rënduar mbi shpenzimet kapitale. Kjo është problematike për Shqipërinë pasi ka shumë nevoja zhvillimi, ka nevojë për infrastrukturë. Të zvogëlosh kapitalin në një kohë si kjo është shumë negative për rritjen në një periudhë afatgjatë. Pra këshilla jonë ka qënë shkurtimi i shpenzimeve dhe më shumë përpjekje për të rritur të ardhurat por të ruhet ose të rriten shpenzimet kapitale. Gjithashtu duhet të kihen parasysh programet për të varfërit pasi në krizë nuk duhet të shkurtohen shpenzime për programe të tilla.

Problemet me CEZ-in kanë ekzistuar për një farë kohe. Kjo ishte si pasojë e privatizimit. Sektori energjitik pati mungesë investimesh dhe tarifat nuk u përshtatën duke bërë që kompania të mos arrinte të mbulonte shpenzimet. Largimi i CEZ-it është produkt i kësaj situate që do të shkaktojë probleme të tjera. Kjo do të sjellë nevoja për importin e energjisë dhe qeveria duhet të mendojë për këto faturë. Ikja e CEZ-it mund të krijojë probleme të tjera që mund të kërkojnë vëmendje fiskale”, deklaroi zoti Ilahi.

Ai shtoi se në këtë situatë, me këtë borxh të lartë, qeveria nuk mund të stimulojë më ekonominë pasi stimulimi përmes borxhit është shumë i vështirë për shkak se huadhënësit shqetësohen për mundësinë për t’i paguar. Pra, tha ai, mendimi ynë është që qeveria nuk duhet të bëjë ulje taksash apo rritje të shpenzimeve, por e kundërta. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA