
Një gjykatë në qytetin e Port Saidit në Egjipt dënoi me vdekje 21 persona nga 73 të akuzuarit për trazirat në stadiumin e këtij qytetit, në ndeshjen e shkurtit të vitit të kaluar mes Al Ahly-t të Kajros dhe vendasve të Al Masry-t.
Ndeshjet mes këtyre dy skuadrave, që ofrojnë rivalitet të madh në fushë, janë karakterizuar gjithmonë nga episode dhune, por ajo e shkurtit të vitit të kaluar, ku të paktën 70 tifozë gjetën vdekjen, cilësohet si tragjedia më e madhe e të gjitha kohërave në futbollin egjiptian.
Vendimi i gjykatës shkaktoi ndjenja të dyfishta. Të afërm të viktimave brohoritën, ndërkohë që të afërmit e të akuzuarve u mblodhën para mureve të burgut ku ata mbaheshin dhe nisën përleshjet me forcat e sigurisë. Të paktën 30 persona raportohen të vdekur nga këto përleshje, dy prej të cilëve policë.
Egjipti, dy vjet nga rrëzimi i regjimit të Mubarakut, ndodhet ende në kaos. Opozita akuzon presidentin Mohamed Morsi për tradhëti ndaj idealeve të revolucionit, ndërkohë që ky i fundit apelon për qetësi dhe dialog.
Top Channel