Çekët nuk tregojnë financat

26/01/2013 00:00

Administratori i ri i kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë Elektrike
CEZ Shpërndarje, Sahit Dollapi deklaron se deri më tani nuk ka asnjë të
dhënë zyrtare nga çekët, lidhur me gjendjen financiare të kompanisë.

“Kompania CEZ Shpërndarje, të cilën kam vetëm katër ditë që e drejtoj, nuk ka asnjë të dhënë zyrtare nga një kompani tjetër, e cila kryen të gjitha shërbimet ndaj kompanisë CEZ Shpërndarje, është kompania CEZ Albania.I kam drejtuar zyrtarisht një shkresë për të na paraqitur të gjitha të dhënat zyrtare me nivelin e arkëtimeve, nivelin e humbjeve dhe treguesit e tjerë ekonomike”, tha Dollapi.

Në daljen e tij të parë para gazetarëve, si administrator i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë pas largimit të çekëve, zoti Dollapi tha se do të ngrihen grupe të posaçme pune që do të vlerësojnë situatën në terren, që nga rishikimi i matësve të energjisë e deri tek prerjet e lidhjeve të paligjshme.

“Do të ngrihen struktura dhe do të merren masa kontrolli ndaj çdo abonenti, prerje të çdo lidhje të paligjshme, rishikim i vulosjes së të gjithë matësave të konsumatorëve, rishikim i nivelit të faturimit të të gjitha subjekteve, qofshin këto të mëdha ose të vogla, që kanë të bëjnë me procedura teknike, gjë që ne i kemi përfshirë në strukturën e re. Nuk do të ketë ndërprerje kolektive të energjisë”, tha Dollapi.

Një tjetër problem me të cilin përballet sistemi i shpërndarjes së energjisë, sipas administratorit të ri është mungesa e gatishmërisë teknike dhe e pajisjeve të ndryshme, që nevojiten për të kryer ndërhyrje në rastet e defekteve dhe për të siguruar energji elektrike 24 orë për qytetarët. Për t’i dhënë përgjigje ankesave për abuzime të mijëra qytetarëve do të ngrihen njësi të caktuara, të cilat do të kenë detyrën t’u përgjigjen konsumatorëve në një afat maksimal 15 ditor.  

Top Channel