Biznesi kërkon borxhet e Qeverisë

26/01/2013 00:00

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i kërkon Qeverisë shlyerjen e të gjitha
detyrimeve që ka ndaj bizneseve, si një hap i rëndësishëm drejt
zgjidhjes së ngërçit në të cilin janë përfshirë sipërmarrjet private.

“Shlyerjen e të gjitha detyrimeve që Qeveria i ka të gjithë sipërmarrjes private dhe në funksion të kësaj, ne i kërkojmë Ministrisë së Financave që të mbajë premtimin e dhënë që 6-mujorin e parë të 2013 do të jenë të shlyerja të gjitha detyrimet që Qeveria i ka sipërmarrjes private”, u shpreh kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka.

Një tjetër nevojë emergjente për biznesin, sipas kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka është funksionimi i Gjykatës Administrative.

“Miratimin e ligjit që mundëson funksionimin e Gjykatës Administrative, si një nevojë dhe domosdoshmëri për sipërmarrjen private, në funksion të kësaj, ne i kërkojmë opozitës shqiptare që të japë kompromisin dhe vullnetin e saj pozitiv në miratimin e këtij ligji”, tha Jaka.

Në këtë pikë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë deklaroi se shumë shpejt do të dalë me një platformë të detajuar dhe profesionale në mbrojtje të interesave dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sipërmarrjeve private si kërkesë për t’u përfshirë n programet elektorale të partive politike.    
     

Top Channel