Respektimi i të drejtave civile dhe kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, kthimi i lapidarit në vendin e mëparshëm, ndërprerja e bisedimeve me Serbinë, janë vetëm disa nga kërkesat që do të shtrohen të shtunen në protesten e organizuar nga lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i lëvizjes, Albin Kurti tha se me këtë protestë duam t’u tregojmë shqiptarëve të Presheves, Medvegjës dhe Bujanocit se populli i Kosovës nuk mendon njësoj si kryeministri Thaçi.

Kryetari i Vetëvendosjes akuzoi qeverinë e Kosovës se problemin e Luginës nuk e bëri as kusht e as temë të dialogut me palën serbe.

“Ky kryeministër, i cili thoshte se çështja e lapidarit duhet të zgjidhej me dialog, filloi të akuzojë shqiptarët atje. Është shumë e pandershme të akuzohen shqiptarët atje, ndërkohë që atyre asnjëherë nuk u ka dalë për zot kjo qeveri”, tha Kurti.

I pyetur nga Top Channel nëse shtrimi si temë i Luginës së Preshevës në dialogun politik Kosovë-Serbi do të ndërronte qëndrimet e Vetëvendosjes karshi këtij proçesi, Kurti dha këtë përgjigje:

“Kjo nuk paraqet një kundërthënie me qenëse ne jemi kundër dialogut, por legjitimtetin për këtë dialog qeveria e ka sajuar nëpërmjet premtimeve se aty do të hapet çështja e Luginës së Preshevës”, theksoi Kurti.

Protesta e së shtunës, të cilës i janë bashkuar shumë organizata të tjera, do të fillojë në ora 14:00 dhe marshimi do të nisë nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare, për të vazhduar nëpër  rrugët kryesore të Prishtinës.

Kurti porosi Brukselit
“Nuk ia merrni dot Serbinë Rusisë përmes bisedimeve”

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i dërgoi një porosi Brukselit zyrtar, për atë që ai e quan një përshtypje të gabuar se nëpërmjet dialogut mund të largojë Serbinë nga Rusia.

“Unë nuk besoj dhe nuk mendoj që dobësimi i Rusisë në Ballkan duhet të pasohet me forcimin e Serbisë në Ballkan. Mendoj se me këtë qasje, ku Kosovën e fusin në dialog me Serbinë për t’i marrë Serbinë Rusisë, as nuk do t’ia marrin Serbinë Rusisë, ndërkohë që ne do ta paguajmë hapur këtë gjë. Ne jemi dakord me dobësimin e Rusisë në Ballkan, por duhet të jemi realistë se ky proçes po e forcon Serbinë në Ballkan”, deklaroi Kurti.

Nisja e dialogut në mënyrë që Serbia të dëshmojë fqinjësinë e mirë me të tjerët është interesi i saj për të fituar fonde nga BE-ja dhe sipas Kurtit, ka diçka kriminale në origjinën e dialogut, sepse është i përkufizuar për interesa të Serbisë në mënyrë që veriu të afrohet me të.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA