SHBA: Gabuam në Mali

25/01/2013 15:25

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranuan se gabuan në procesin e trajnimit të trupave maleze, të cilat po luftojnë ndaj kryengritjes së militantëve islamikë në veri të vendit.

Gjenerali Carter Ham, kryekomandanti i trupave amerikane në Afrikë, pranoi se “mjerisht, Pentagoni nuk ka mundur të stërvisë trupat maleze sipas vlerave, etikës dhe disiplinës ushtarake”.

Deklarata e Ham i referohej një seri abuzimesh, me protagonistë trupat ushtarake, që luftuan gjatë një mësymje franceze ndaj disa qyteteve në territorin e kontrolluar nga fondamentalistët.

Disa ditë më parë, shtypi ndërkombëtar raportoi se trupat e ushtrisë së rregullt të Malit realizuan një seri ekzekutimesh të civilëve të lidhur me militantët dhe robërve të luftës në zonat e rivendosura nën kontroll.

Ndërkohë, vala e bombardimeve franceze u përqendrua të premten në qytetin verior të Gaos, i konsideruar si një prej bastioneve më të fuqishëm të militantëve.

Franca vendosi të ndërhynte në Mali në datën 11 janar, pas një kërkese të Bamakos zyrtar, i vendosur nën presion nga një avancim në dukje i pandalshëm i trupave islamike.

Që prej atëherë, kombinimi i bombardimeve franceze, i operacioneve të forcave komando, në bashkëveprim me trupat qeveritare maleze, lejoi një mësymje të gjerë mbi territorin e mbajtur nga rebelët dhe rikthimin e disa qyteteve kryesore nën administrimin e qeverisë.

Në dhjetë muajt e fundit, të fuqizuar nga armatimet e siguruara gjatë krizës libiane (2011-12), tre grupime të fuqishme islamike arritën të vendosnin veriun e Malit nën administrimin e tyre.

Një prej shteteve më të varfër në botë dhe i kufizuar në veri nga shkretërira e Saharasë, Mali ka një sipërfaqe të përafërt me atë të Francës, Gjermanisë e Italisë marrë së bashku, e nje popullsi prej 14,5 milione banoresh, por aktualisht, qeveria ka kontroll vetëm mbi gjysmën jugore të Malit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA