SHBA, 30 muaj burg ish-agjentit të CIA-s

25/01/2013 18:50

Një ish-agjent i CIA-s, që kishte dhënë emrat e agjentëve të fshehtë mediave, është dënuar nga një gjykatë amerikane me 30 muaj burg.

John Kiriakou, 48 vjeç, u shpall fajtor në vitin 2012 për shkelje të ligjit për shërbimet sekrete, rasti i parë ky në 27 vitet e fundit.

Ish-agjenti pranoi se i kishte kaluar emrin e një oficeri të CIA-s që kishte qenë pjesë e ekipeve që merrnin të dyshuarit për terrorizëm në pyetje, duke përdorur edhe teknikën e njohur si “waterboarding”.

Avokati mbrojtës deklaroi se Kiriakou ishte vetëm një korrier, por gjyqtarja e çështjes e hodhi poshtë argumentin duke thënë se do t’i kishte dhënë të pandehurit një dënim më të gjatë po të kishte pasur mundësi.

Përmes një marrëveshjeje u arrit në përfundimin që ish-agjenti të dënohej me 30 muaj, bëjnë të ditur mediat amerikane në edicionet e tyre online.

Hetimi mbi të filloi pasi avokatët e disa të dyshuarve për terrorizëm bënë një padi ligjore, duke futur në të të dhëna që nuk ishin publikuar nga qeveria amerikane. Proçesi që nisi pas kësaj padie çoi tek Kiriakou.

Prokurorët thanë se ish-oficeri i kishte dhënë emrin e një operativi sekret një gazetari, i cili më vonë ia dha atë një hetuesi që punonte për avokatët e të dënuarve në Guantanamo.

Ata argumentuan se Kiriakou po kërkonte të fitonte famë në opinionin publik duke përdorur njohuritë e tij brenda Agjencisë Qendrore të Inteligjencës.

Një akuzë tjetër, që bënte fjalë për dhënien e informacioneve sekrete një gazetari të “New Work Times”, u rrëzua si rrjedhojë e marrëveshjes së arritur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA