Rusi, ligji kundër komunitetit LBGT

25/01/2013 15:35

Parlamenti i Rusisë mbështeti një projektligj kontradiktor, i cili shpall të jashtëligjshëm çdo formë të promovimit të homoseksualitet, ndërsa disa qindra anëtarë të komunitetit LBGT u përleshën me policinë jashtë Dumës.

Policia arrestoi disa anëtarë të këtij komuniteti, të cilët u përpoqën të kundërgjigjeshin me një protestë puthjesh masive përpara Parlamentit, për të promovuar të drejtat e tyre.

Sipas mbështetëses së të drejtave të njeriut, Lyudmila Alexeyeva, qëllimi i vërtetë i këtij ligji është “kufizimi i të drejtave të minoriteteve seksuale dhe diskriminimi ligjor i tyre”.

Pas aprovimit në Dumë, projektligji duhet të përballet me votimin me Dhomën e Lartë dhe të dekretohet prej Presidentit Putin, përpara se të publikohet në fletoren zyrtare dhe të hyjë në zbatim.

Në bazë të ligjit, të gjithë aktivitetet që promovojnë ose mbeshtesin aktivitetet homoseksuale në të gjithë Rusinë do të ndalohen, ndërsa organizatorët do të gjobiten. Shkrimet ne mbeshtetje te ketij komuniteti gjithashtu do te ndalohen.

Një vit më parë në mungesë të një legjislacioni të qartë mbi këtë çështje, gjykata e Moskës vendosi një pezullim të shumëkritikuar 100-vjeçar mbi paradat e homoseksualëve, lesbikeve, biseksualëve dhe transeksualëve, me argumentin se ato “cënojnë rendin publik”.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka gjobitur disa herë Moskës zyrtare për moslejimin e mbajtjes së këtyre aktiviteteve.

Homoseksualizmi konsiderohet një vepër penale dhe dënohej me burgim në Rusi deri në vitin 1993.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA