Referendumi në Britani, shumica kundër BE-së

25/01/2013 16:00

Britania e Madhe do të dilte nga Bashkimi Europian, nëse referendumi i premtuar nga kryeministri Cameron për rishikimin e marrëdhënieve me Europën do të mbahej gjatë kësaj jave.

Sipas sondazheve të publikuara në mediat britanike, në varësi të anketimeve të ndryshme, ekziston një shumicë nga 3-10% e qytetarëve që mbështesin ndërprerjen e marrëdhënieve me Brukselin, por të gjitha sondazhet konkludojnë në pikën se nëse referendumi do të mbahej sot, Britania do të mbështeste votën kundër.

Më parë gjatë javës, kryeministri Cameron premtoi një referendum për të vendosur qëndrimin ose largimin nga BE-ja, nëse forca politike që ai përfaqëson do të fitojë një mandat të dytë qeverisës në zgjedhjet e përgjithshme të 2015-s.

Një kompani sondazhesh testoi gjatë ditëve pas deklaratës së Cameron opinionin publik për këtë çështje dhe arriti në përfundimin se 40% e qytetarëve janë kundër qëndrimit në BE, 37% janë pro dhe pjesa tjetër e konsiderojnë veten të pavendosur.

Ndërkohë, e përditshmja “Times” shkruante se në bazë të anketimeve të saj, duke përjashtuar të pavendosurit, nëse një referendum do të mbahej sot, 53% e britanikëve do të kërkonin daljen nga “familja e kombeve europiane”.

Ndienjat euroskeptike janë forcuar ndjeshëm në Britani, ndikuar nga vështirësitë ekonomike që ka krijuar në vend kriza e Eurozonës, monedhës që përdorin partnerët kryesore ekonomikë të Britanisë.

Premtimi i Cameron për mbajtjen e një referendumi u kritikua ashpër nga opozita, që e konsideroi këtë lëvizje si të vonuar dhe me qëllime tërësisht elektorale.

Britania përballet me një tjetër referendum në vitin 2014, ai që do të vendosë nëse Skocia do të fitojë ose jo pavarësinë nga Mbretëria e Kurorës së Bashkuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB