
Koreja e Veriut ka lëshuar një tjetër kërcënim, një ditë pas paralajmërimit për një tjetër test bërthamor që do të ndërmarrë.
Këtë herë, kërcënimi i Penianit është adresuar ndaj fqinjit jugor, Seulit. Në një deklaratë të shpërndarë nëpërmjet televizionit shtetëror në vendin komunist, kërcënohet “me masa ndëshkuese fizike” ndaj Koresë së Jugut nëse kjo e fundit bëhet pjesë e sanksioneve të reja të vendosura nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Një ditë më parë, Peniani njoftoi se do të kryejë një tjetër test bërthamor që synon të “zmbrapsë armikun numër një, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Testi është i treti i këtij lloji. Dy të mëparëshmit janë ndërmarrë njëri në vitin 2006 dhe tjetri në 2009, ndërsa për të tretin nuk është komunikuar ende asnjë datë e saktë.
Testet bërthamore të Penianit, shto këtu edhe testimin me sukses të një rakete me rreze të gjatë veprimi para disa javësh, kanë alarmuar komunitetin ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore apeluan për sanksione shtesë për të ndalur programin bërthamor të vendit komunist.
Top Channel