Në kohën kur kanë mbetur vetëm një ditë nga mbajtja e Kongresit Zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës, drejtues të saj nuk i druhen një çarjeje të mundshme për shkak të pakënaqësive të shfaqura nga Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi.

Kryesia e PDK-së u mblodh këtë të enjte në selinë e partisë, në të njëjtën kohë që në Kuvendin e Kosovës po zhvillohej seanca e rregullt e kryesuar nga Jakup Krasniqi.

Në mbledhje u diskutua për kongresin e partisë që zhvillohet ditën e shtunë. Koordinatori i zgjedhjeve në PDK, Basri Musmurati njoftoi se do të ketë masa të larta sigurie gjatë dy ditëve të kongresit.  Ai po ashtu tha se ftesa për pjesëmarrje do t’i dërgohet patjetër Sekretarit të Përgjithshëm Krasniqit, por shtoi se nuk ka informacione se cila do të jetë përgjigja e tij.

“Me Jakup Krasniqin është zhvilluar shumë Partia Demokratike deri më tani. Edhe atëherë kur ne të tjerët kemi dashur të rrimë anash, ky ka qenë nismëtari që të punohet dhe ka një falenderim të vecantë për ato që ka bërë deri më tani. Ftesën jo vetëm që s’kam arsye, po s’kam as fytyre mos t’ia dërgoj. Unë komunikoj me të por a do të vijë apo jo, të shohim. Por ai ka mbështetje të madhe në PDK”, deklaroi Koordinatori i Zgjedhjeve në PDK, Basri Musmurati.

Sic është bërë e ditur më herët, Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka kërkuar shtyrjen e mbajtjes së kongresit zgjedhor deri në lirimin e nënkryetarit të PDK-së Fatmir Limaj. Por koordinatori i zgjedhjeve sqaron se mosprania fizike e Limajt nuk do të thotë që ai nuk do të mund t’i  mbajë funksionet në parti.

Gjatë procesit të brendshem zgjedhor PDK-ja ka zgjedhur 32 kryetarë të degëve. Kryetari nuk është zgjedhur ende në degën e Prishtinës, Prizrenit dhe Gjilanit. Zyrtarët e PDK-së bëjnë të ditur se një numër i madh anëtarësh të rinj në moshë dhe në profesion janë bërë pjesë e PDK-së në këto zgjedhje duke bërë që numri i anëtarëve të Këshillit Drejtues të partisë të shkojë në 111.

Numri i delegatëve të zgjedhur të cilët do të marrin pjesë në kongres është 706. Kongresi zgjedhor i PDK-së do të nisë të  shtunën pasdite në një seancë solemne për të vazhduar punimet të dielen ku do të zgjidhen organet drejtuese të partisë.

Top Channel