Pas ngjarjeve të dhunshme që ndodhën në Kuvendin e Maqedonisë muajin e kaluar, kur sigurimi dëboi me forcë nga salla plenare deputetët maqedonas të opozitës dhe gazetarët, një hulumtim tregon se shumica e qytetarëve e mbështesin këtë formë të largimit të deputetëve nga Parlamenti, nëse këta të fundit ‘rebelohen’.
Sipas një ankete telefonike të realizuar nga instituti “Societas Cilivi”, 72 për qind e qytetarëve konsiderojnë se nëse deputetët shkelin dhe nuk respektojnë rregulloren e Kuvendit, ata duhet të nxirren jashtë tij.
Të paktën 94 për qind e të anketuarve i janë përgjigjur “po” pyetjes nëse duhet të respektohet rendi edhe krahas dallimeve mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.
Megjithatë, përkundër këtyre të dhënave, disa aktivistë të shoqërisë civile kanë dalë me një letër publike ku thuhet se, muajin e kaluar, përveç Kushtetutës, në Kuvend u shkelën edhe të drejtat dhe liritë e deputetëve dhe gazetarëve.
Firmëtarët e kësaj letre kërkuan dorëheqjen e Avokatit të Popullit, Ixhet Mehmeti, i cili i ka ndjekur ngjarjet e dhunshme në Parlament në heshtje dhe nuk ka reaguar.
Në letër Avokati i Popullit akuzohet se, me heshtjen e tij është bërë bashkëfajtor në këto ngjarje ku u shkelën rëndë të dretjat e njeriut, liria e informimit publik dhe sundimi i së drejtës.
Aktivistët e shoqërisë civile vlerësojnë se, Ixhet Mehemti ka humbur legjitimitetin moral dhe profesional për të ushtruar detyrën e Avokatit të Popullit.
Top Channel