LSI: Do të votojmë në Kuvend pro “hartës” së vitit 2009

25/01/2013 00:00

Partia më e madhe në koalicion me demokratët, Lëvizja Socialiste për
Integrim do të votojë pro ndarjes së mandateve nga Kuvendi, bazuar në
vitin 2009.

Perfaqesuesi i kesaj force politike ne KQZ, Ylli Manjani thote se kjo eshte ligjore dhe e drejte.

“Ne nuk gjejmë asgjë të paligjshme në rikonfigurimin e mandateve të vitit 2009. Duke marrë parasysh edhe faktin e ekspozuar tashmë në publik që ka patur lëvizja e popullsisë. Patjetër ka patur lëvizje të popullsisë, por këto lëvizje popullsie nuk janë në masën e tillë, që në mënyrë të arsyeshme të çojmë në lëvizjen e mandateve. Kush do të ishte e arsyeshme? Nëqoftëse do të kishte lëvizje kaq të mëdha që t’i afrohen diku 6 mijë apo 7 mijë zgjedhës që lëvizin nga një qark në një tjetër, por nëse lëvizin 500-600 zgjedhës nuk është kjo një lëvizje përfaqësuese, që të cojë te formula e ndryshimit të përfaqësimit. Sa i takon aspektit ligjor dhe formal Kuvendi ka të drejtë ta bëjë këtë dhe nuk ka asnjë arsyetim tjetër”, tha Manjani.

Por pavarësisht, Manjani pohon se mund të shkaktohet pabarazi e votës, që është deklaruar se mund të bëhet shkak për ripërsëritje të procesit zgjedhor nga Gjykata Kushtetuese, por kjo, thotë ai, nuk është më e madhe sesa vetë deformimi që sjell ky sistem zgjedhor.

“Kjo është një çështje që PD-ja dhe PS-ja nuk kanë përse të kërkojnë llogari tek tjetërkush përveçse tek vetja e tyre, nëqoftëse vërtetë duan të barazojnë votën, atëherë reforma e vetme është reforma e sistemit. Të gjitha të tjerat janë deklarata për të kaluar radhën, janë deklarata që nuk tregojnë seriozitet në menaxhimin e procesit zgjedhor”, tha Manjani.

Perfaqesuesi i LSI-së thote se te dy partite e medha ishin te interesuara ta sillnin situaten deri ne kete pike, pasi ezauruan mundesine per rindarje te mandateve ne KQZ dhe dogjen afatin ligjor per t’u ankuar ne Kolegjin Zgjedhor dhe tani thote ai, neni tre i Kodit Zgjedhor, percakton se ne fund eshte Parlamenti qe vendos.

Top Channel