Bisedimet për paqe me qeverinë kolumbiane po avancojnë me ritme të shpejta, apo “me ritmet e mambos”, siç e krahasoi një zëdhënës i FARC.
Pas 3 raundesh bisedimesh, Jesus Santrich tha se është gjetur terreni i përbashkët për një marrëveshje mbi reformën e tokës. Negociuesi i qeverisë kolumbiane, ish-zëvendës presidenti Humberto de la Calle, tha se ka ende disa dallime të vogla, por pranoi njëfarë dakordësie.
Negociatat nisën 3 muaj më parë, në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit gjysmë shekullor. Qeveria tha se ky konflikt ka shkaktuar humbjen e jetëve të më shumë se 500 mijë personave. Bisedimet do të vazhdojnë në Havana të Kubës, pas një jave.
Ndërkohë që duket se ka disa diferenca rrënjësore mes dy palëve, rebelët e krahut të majtë duket se janë adaptuar me tonet pajtuese. “Ne besojmë se kemi arritur rezultate konkrete në këto bisedime, në lidhje me propozimet për reformën e tokës”, tha Jesus Santrich. “Besojmë se ky është një ritëm mamboje. Është disi e ndrydhur, por e përshpejtuar”.
Megjithatë, rebelët kërkojnë me ngulm garanci, se rezultatet e bisedimeve do të njihen dhe pranohen nga asambleja kushtetuese.
Top Channel