Kinë-Japoni normalizojnë marrëdhëniet?

25/01/2013 15:50

Një i dërguar i kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe mbërriti të premten në Pekin për t’u takuar me presidentin Xi Jinping, në një përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve të acaruara mes dy superfuqive aziatike.

Kina dhe Japonia, prej më shumë se një viti janë përfshirë në një betejë të ashpër diplomatike, në lidhje me sovranitetin e një grupi ishujsh të diskutuar në detin e Kinës Lindore.

Marrëdhëniet e tensionuara kanë shkaktuar protesta të shumta popullore në të dy vendet, ndërsa në Kinë janë shoqëruar edhe me një bojkot të gjerë të produkteve japoneze.

Natsuo Yamaguchi, i dërguari japonez në Kinë, i dorëzoi presidentit Xi një letër nga kryeministri Abe, por përmbajtja e dokumentit nuk u zbulua për mediat.

Megjithatë, Yamaguchi theksoi se të dyja palët ranë dakord se është e domosdoshme që midis dy vendeve të vazhdojë të mbahet dialogu.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Kinës, mësohej se presidenti Xi i kërkoi përfaqësuesit japonez që Tokio të angazhohet seriozisht në bisedime, “për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të dy vendet”.

Përplasja e gjatë midis Kinës dhe Japonisë për sovranitetin e arkipelagut të Senkakut, të ndodhur në një pozion thuajse të barazlarguar nga dy superfuqitë aziatike, u intensifikua pasi Japonia bleu ishujt nga pronari i tyre i ligjshëm më parë gjatë vitit te shkuar.

Pekini e konsideron këtë mënyrë të fitimit të sovranitetit mbi territorin si ilegale dhe një “precedent të rrezikshëm” ndërkombëtar.

Gjatë dhjetorit, Kina parashtroi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara një shpjegim të detajuar të të gjithë pretendimeve të saj territoriale mbi territorin, bazuar mbi fakte historikë dhe gjeologjikë, që paraqesin Senkakun si një vazhdim të natyrshëm të territorit kinez.

Zona detare, e cila përbëhet nga grupi i ishujve “mikroskopikë”, ka fituar një rëndësi të veçantë pasi studimet e fundit treguan se në tokën nënujore ndodhen rezerva nafte dhe gazi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA