Deklaratat e Çekisë për bllokim të integrimit kanë vënë në alarm politikën në Tiranë. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Edmond Haxhinasto, që mban njëkohësisht edhe postin e zv.kryeministrit, u takua ditën e enjte me ambasadoren çeke në Tiranë, Bronislava Tomasova.
Në qendër diskutimeve në këtë takim kanë qenë marrëdhëniet mes dy vendeve pas vendimit të ERE-së për heqjen e licensës së CEZ Shpërndarje, që është një nëndegë e kompanisë mëmë me qendër në Pragë, CEZ.
Haxhinasto kërkoi që të mos lidhet integrimi i vendit tonë më problematikën e CEZ-it, që ai e cilësoi të karakterit komercial e që lindi pas mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale të kompanisë çeke.
“Problemi i shoqërisë CEZ është një problem i karakterit komercial, lindur nga mospërmbushja prej saj i detyrimeve kontraktuale dhe ato që rrjedhin nga kuadri ligjor e rregullator në vend. Çdo thirrje për t’i përzier këto dy problematika është e dëmshme dhe nuk i shërben askujt”,deklaroi Haxhinasto.
Pak ditë më parë, kryeministri i Çekisë Petr Necas kërcënoi Shqipërinë me bllokim të procesit të integrimit të vendit në BE duke u shprehur se Republika Çeke nuk mund të qendrojë indiferente lidhur me qasjen e Shqipërisë ndaj investitorëve të huaj, sidomos kur bëhet fjalë për investitorë çekë.
Top Channel