Komediani Beppe Grillo vazhdon turin e tij të fushatës, përpara zgjedhjeve të muajit shkurt në Itali, me lëvizjen e qytetarëve, që po kthehet gjithmonë e më shumë në një forcë për të mos u nënvlerësuar.
Me afrimin e datës së zgjedhjeve, Grillo premton “surpriza”, falë programit të tij alternativ.
“Do të ketë gjëra, që do t’ju befasojnë. E kam ndierë në lëkurën time, gjatë udhëtimeve nëpër Itali, se njerëzit janë lodhur me situatën në përgjithësi, u kanë ardhur në majë të hundës politikanët e tyre, nuk duan t’i shohin më me sy. Mund të bëjnë sondazhe sa të duan, por unë e di çfare mendojnë e çfarë ndiejnë njerëzit e thjeshtë”, tha Beppe Grillo, komedian dhe politikan.
Në axhendën elektorale të lëvizjes së tij “5 stelle”, është edhe shtetëzimi i bankave. Duke qenë një kundërshtar i pazakontë, partitë politike të Italisë kishin menduar se Grillo dhe grupimi i tij do të zhdukeshin shumë shpejt nga skena, por komediani, që ngre zërin kundër korrupsionit e këmbëngul për daljen nga eurozona, po fiton çdo ditë e më shumë mbështetje.
“Mesazhi i tij i transparencës dhe pushtetit të popullit, është ajo që i duhet italianëve të zhgënjyer nga liderët e tyre”, thotë Elena Martini, pjesëmarrëse e tubimit të fundit të kësaj lëvizjeje në Romë. “Ne shpresojmë, që i gjithë vendi të pastrohet që në themel. Me të, mund t’ia dalim mbanë”.
Grillo bëri emër si komedian në qytetin verior të Xhenovës, por tani njihet më shumë për sulmet sarkastike ndaj klasës qeverisëse të vendit. Ai vetë nuk garon për post, për shkak të një dënimi të hershëm për vrasje pa paramendim, pas vdekjes së tre pasagjerëve, kur xhipi, që ai drejtonte në 1981, doli nga rruga e u përplas.
Top Channel