
Egjiptianët përkujtuan me protesta 2-vjetorin e rrëzimit të regjimit të ish-presidentit Hosni Mubarak. Forcat e policisë u përleshën me qindra protestues të mbledhur në sheshin Tahrir në këtë përvjetor.
Protestuesit janë thërritur nga opozita që akuzon presidentin Morsi se ka tradhëtuar revolucionin. Të enjten në mbrëmje protestuesit u përpoqën të zhvendosin barrierat bllokuese për në sheshin Tahrir. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe plumba gome. Raportohet për dhjetra të plagosur.
Në fillim të këtij viti, një gjykatë apeli në Kajro urdhëroi rigjykimin e Mubarakut për rolin e tij në shtypjen me dhunë dhe vrasjen e qindra protestuesve dy ditë më parë. 84-vjeçari në gjykimin e parë u dënua me burg të përjetëshëm, ndërkohë që me rigjykimin rrezikon dënimin me vdekje.
Megjithatë, dy vite nga rrëzimi i Mubarakut, vendi vijon të jetë i trazuar. Opozita akuzon presidentin Mohamed Morsi se po grumbullon gjithë pushtetin në duart e tij, njëjtë si Mubaraku. Por ky i fundit thotë se kompetencat shtesë që i ka dhënë vetes janë të përkohëshme dhe do të hiqen në momentin e parë që vendi do t’i rikthehet normalitetit.
Top Channel