Mbështetësit e opozitës egjiptiane po protestojnë në mbarë vendin në ditën që shënon 2-vjetorin e kryengritjes që çoi në rrëzimin nga pushteti të Hosni Mubarak.
Policia është përleshur me kundërshtarët e presidentit Mohammed Morsi në Kajro, duke shpërndarë manifestuesit e mbledhur para pallatit të tij, ndërkohë që të tjerë ishin mbledhur në sheshin Tahrir.
Në Aleksandri dhe Suez pati gjithashtu përleshje, ndërsa në Ismailia protestuesit i vunë zjarrin selisë qendrore të partisë Vllazëria Myslimane.
Kritikët akuzojnë presidentin Morsi se ka tradhtuar revolucionin, akuzë të cilën ai e mohon. Kreu i shtetit ka bërë thirrje për qetësi dhe dhënien fund të përleshjeve, nga të cilat 4 persona kanë vdekur dhe mbi 230 kanë mbetur të plagosur.
Gjatë së premtes policia ka qëlluar gaz lotësjellës për të shpërndarë protestuesit, që ishin përpjekur të kalonin barrierat e telave me gjemba të vendosura jashtë pallatit presidencial në Kajro. Por përpjekjet e tyre u zmbrapsën.
Më herët, disa protestues ngritën pika kontrolli në hyrjet për në Sheshin Tahrir, për të verifikuar identitetet e personave që kalonin. Ndërsa të tjerë ekspozuan fotografi të të vrarëve në protestat e dy viteve të fundit.
“Revolucioni ynë vazhdon. Ne e refuzojmë dominimin e çdo partie në këtë shtet. Ne i themi jo shtetit të Vllazërisë”, deklaroi lideri i majtë Hamdeen Sabahi për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Top Channel