Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar të premten se, çështja e ulëses së Kosovës në OKB është e ekzagjeruar dhe se nuk është përmendur asnjëherë në bisedimet dypalëshe.

“Çështjen e karrikes së Kosovës në OKB e vendos pushteti në Prishtinë, sepse ata e dinë që proçesi i pavarësisë pa arritur këtë nuk është i rrumbullakosur”, ka thënë Daçiç.

Gjatë një vizite në qytetin Vërshac, shefi i qeverisë serbe ka nënvizuar se, çështja në fjalë nuk mund të zgjidhet nëse nuk diskutohet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në tërësi.

Ai ka thënë se për momentin kjo çështje nuk është përmendur në asnjë nga takimet e zhvilluara në Bruksel dhe ka shtuar se ajo mund të trajtohet vetëm seriozisht e jo kalimthi.

“Ne qëndrimin për Kosovën nuk do ta ndryshojmë. Kjo është e vetmja gjë që Kosova nuk do të mund të fitojë. Ndërsa të tjerat me shumë gjasa mund t’i fitojë dhe Serbia nuk mund ta pengojë”, ka shtuar Daçiç.

Debati për anëtarësimin e Kosovës në OKB u ndez ditën e enjte pasi ambasadori gjerman në Serbi, Heinz Wilhelm deklaroi se ky proçes është një çështje që duhet të trajtohet në tryezën e bisedimeve në Bruksel.

“Për ne kjo është një çështje e rëndësishme, por në këtë moment unë nuk mund të them nëse ajo do të jetë vendimtare për dhënien e datës së hapjes së negociatave të anëtarësimit me Serbinë”, tha Wilhelm.

Deklarata e ambasadorit gjerman nxiti reagime në Serbi. Disa zyrtarë e quajtën provokim të qëllimshëm atë, ndërsa opozita nacionaliste vlerësoi se duhet pasur kujdes për interesat e Serbisë, pasi ky është rezultat i kapitullimit.

Ndërsa presidenti Tomisllav Nikoliç deklaroi se vendi i tij mund ta pengojë avancimin e mëtejshëm të pavarësisë së Kosovës dhe për rrjedhojë njohjen e saj nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA