Ambasadori britanik në Prishtinë, Jan Cliff deklaroi të premten se çështje të rëndësishme si ajo e veriut të Kosovës duhet të zgjidhen në kuadër të bisedimeve me Serbinë.
Në një takim ku u publikua hulumtimi mbi punën e Zyrës Administrative në veri, Cliff vuri në dukje se, institucioni në fjalë nuk mund të zgjidhë çështjen e barrikadave, pasi ajo mund të arrihet vetëm përmes dialogut.
“Besojmë se themelimi i doganave dhe zbatimi i TVSH-së në pikat doganore 1 dhe 31 do të ndikojnë në ndaljen e korrupsionit. Po ashtu, themelimi i fondit për zhvillimin e veriut është pjesë e zgjidhjes politike të problemit. Por ajo që mbetet shqetësuese është vazhdimi i funksionimit të të ashtuquajturave struktura të sigurisë”, tha Cliff, raporton “RTK”.
Ndërsa shefja e Zyrës Administrative, Adriana Hoxhiç tha se zyra në fjalë nuk ka karakter politik, por synon t’u ofrojë shërbime të shpejta dhe cilësore qytetarëve në këtë zonë.
“Njerëzit që punojnë në Zyrën Administrative nuk kanë zgjidhje magjike, por kërkojnë vazhdimin e mbështetjes së qeverisë së Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar, tha Hoxhiç.
Në hulumtimin e publikuar rekomandohet që: mekanizmat e sigurisë se Republikës së Kosovës dhe EULEX-it të jenë më të vendosura në zbatimin e ligjit dhe kushtetutshmërisë; strukturat paralele të hiqen; të krijohen projekte zhvillimore që prekin drejtpërdrejt qytetarët.
Top Channel