22-vjetori i themelimit të Partisë Demokratike në Elbasan ka nxjerrë në pah një strategji të re elektorale të kryeminisrit Sali Berisha, partia e të cilit ka nisur organizimin për zgjedhjet, duke kërkuar rikonfirmimin e besimit për një mandat tjetër qeverisës.
Duke përmendur historinë e ndërtesës së familjarëve të bashkëshortes së Edi Ramës, kur ai ishte kryetar i bashkisë së Tiranës, kryeministri Berisha përdori të njëjtën armë kundër kreut të opozitës, që e akuzon për përdorim personal të pushtetit.
Sipas kryeministrit Berisha, e kundërta është e vërtetë dhe qeveria e tij ka shndërruar taksat e shqiptarëve në rritjen e mirëqënies së tyre.
“Ndaj dhe ne bëjmë gjithçka që të ulim taksat, të lehtësojmë bizneset tuaja, të nxisim iniciativën tuaj. Kurse shoku, që e ka mendjen tek pallatet e familjes, bën gjithçka që t’ju tatojë ju. Ai do që Shqipëria të jetë në këmbët e karrikes së tij, do që shqiptarët të punojnë për pushtetin e tij”, deklaroi Berisha.
Në Elbasan kryeministri theksoi rëndësinë e reformave të ndërmarra dhe investimeve të kryera gjatë viteve të fundit, të cilat sipas tij mundësuan që Shqipëria të mos bjerë në krizë ekonomike.
Përveç ndërtimit të infratsrukturës së vendit, përfshirë edhe autostradën Tiranë-Elbasan, kryeministri Berisha vuri në dukje politikën e rritjes së pagave dhe pensioneve.
“Unë e di që ju nuk merrni aq sa meritoni, por dhe ju e dini që kjo qeveri ka rritur rrogat më shumë se çdo qeveri tjetër në Europë në një kohë të shkurtër. Ne jemi ndryshimi. Rritja e pagave dhe pensioneve tuaja është qëllimi ynë më madhor”, tha Berisha.
Deri në zgjedhjet e qershorit, ajo që duket se do të mbetet e pandryshuar në strategjinë e demokratëve, do të jetë mënyra sesi ata do të përballen me problemet e qytetarëve.
“Ne jemi ndryshimi sepse kemi vetëdijen tonë se çdo i papunë ka të drejtë të na këkrojë punë, se çdo i varfër ka të drejtë të na këkrojë të dalë nga varfëria. Ai këkron nga ne, sepse ne jemi ndryshimi dhe tjetri është mashtrimi, sepse ne jemi të bindur në ndërgjegjen tonë se ne gabojmë, por ne i korrigjojmë ato, se për ne intersat e qytetarëve janë inetresat e para. Të parët jeni ju, të parët do të mbeteni ju, e para është Shqipëria”, shtoi Berisha.
PD akuzon Ramën
“Të bëjë publike aferat e tij korruptive dhe të familjarëve të tij”
“Unë jam sot këtu, për t’i bërë thirrje zotit Rama, t’i tregojë publikut çmimin e vërtetë të blerjes së vilës së tij, 8 mijë metër katrorë në tokë në një zonë, në të cilën toka është blerë nga qytetarë të tjerë, jo 2 dollarë siç e deklaroni se e keni blerë ju, por së paku 22 e më shumë dollarë, çmime shitjeje këto të regjistruara në dokumenta zyrtare. Prandaj ju bëjmë thirrje, t’i thoni publikut çfarë fshihet prapa këtij çmimi, shmangia e detyrimit tatimor të shumës së vërtetë, të përdorur për blerjen e tokës, apo origjina jo e pastër e parave, të përdorura për këtë qëllim”, tha Laura Vorpsi.
Top Channel