Ish-kryeministri i Kosovës, aktualisht ministër për Forcën e Sigurisë së Kosovës , Agim Çeku, u bashkua zyrtarisht me Partinë Demokratike të Kosovës.

Çeku, i cili nga TMK-ja ka kaluar në AAK, pastaj në PSD e tani në PDK, thotë se gjithmonë ka kërkuar rrugë ku mund të jetë më i vlefshëm.

Librezën e PDK-së, atij ia dorëzoi kreu i saj, kryeministri Hashim Thaçi, gjatë së premtes.

Aderimi i Çekut në PDK është mirëpritur nga kryetari i PDK-së dhe njëherësh kryeministri Hashim Thaçi, që sipas tij sjellë një fuqi të re në këtë parti.

“Inkuadrimi i ish-kryeministrit Çeku dhe ministrit aktual, për Partinë Demokratike të Kosovës është një fuqi e re, është një mbështetje edhe më e madhe, është një besim për të ardhmen edhe më të suksesshme, është një besim për fitore të reja të PDK-së, është një fuqi edhe për institucionet e shtetit të Kosovës”, komentoi Thaçi.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, kalimin në PDK e vlerësoi si bashkim me bashkëluftëtarët e tij.

 “Shumë herë kam qenë në pozita të marr vendime të ndryshme edhe për veten, por edhe për vendin, për institucionet që i kam udhëhequr. Ky vendim s’ka qenë i lehtë, por mund t’iu them se ka qenë i natyrshëm, ka qenë i pritshëm, ka qenë i kuptueshëm, sepse po u bashkohem bashkëluftëtarëve të mi, po u bashkohem miqve të mi të vjetër me të cilët kam kaluar sfida shumë të rëndësishme dhe të vështira për vendin”, tha Çeku.

Çeku u bë anëtar i PDK-së, e cila ka shumicën në Kuvendin e Kosovës, vetëm një ditë para se të mbahet Kongresi Zgjedhor i kësaj partie dhe ai pritet që të marrë pjesë në këtë proces.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA