Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës, që t’i zgjidhin problemet përmes dialogut.
Sipas Laukës, duhet dialog dhe bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe me aletatët strategjik, BE-në dhe SHBA-të, për zgjidhjen e problemeve.
Ai e bëri këtë deklaratë, pas vizitës që bëri në kishën “Shën Nikolla” në Prishtinë, së bashku me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Sllobodan Petroviç, ku para disa netësh janë dëmtuar 4 varreza serbe, që ndodhen në oborrin e saj.
Ambasadori Lauka dënoi këtë akt në emër të qeverisë shqiptare, duke shtuar se veprime të tilla nuk janë në traditën e shqiptarëve.
Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, që vjen nga radhët e komunitetit serb, Sllobodan Petroviç, tha se dëmtimi i varrezave nuk e ndihmon bashkëjetesën multietnike në Kosovës.
“Dëshiroj të besoj se në periudhën në vijim do të kemi mundësi për aktivitete dhe veprime konkrete, që të inkurajonë të gjithë njerëzit dashamirës, që të vazhdojmë rrugën e integrimit në BE dhe bashkëjetesën tonë, që është interesi ynë i përbashkët”, u shpreh Sllobodan Petroviç.
Deri më tani, askush nuk ka marrë përgjegjësinë për dëmtimin e varrezave, por këto akte janë dënuar nga institucionet vendore e ndërkombëtare në Kosovë.
Në anën tjetër, RTK, duke u mbështetur në burime brenda Agjencisë Kosova të Inteligjencës, ka raportuar se ka elemente serioze dhe të besueshme të informacionit, se vetë grupe të caktuara të serbëve kanë dëmtuar varrezat e tyre këto ditë në Kosovë, si pjesë e skenarit politik të Serbisë për t’ua lënë fajin shqiptarëve, njësoj siç kishte vepruar Serbia në vitin 1981.
Top Channel