Drejtuesit maqedonas, të institucioneve lokale në qytetin e Shkupit, refuzojnë përdorimin e gjuhës shqipe, edhe pse me ligjin për përdorimin e gjuhëve është e detyrueshme, që shqipen ta përdorin si gjuhë zyrtare.

Partia Demokratike Shqiptare denoncoi të mërkurën disa nga ndërmarrjet publike dhe shtetërore, ku nuk zbatohet gjuha shqipe. Sipas PDSH-së, mosrespektimi i shqipes nëpër institucione bëhet për shkak se, kreu i komunës së Çairit në Shkup, Izet Mexhiti, dhe partia e tij BDI, nuk janë të aftë të mbrojnë interesat e shqiptarëve të kryeqytetit.

“Izet Mexhiti na zbuloi dje të vërtetën e mospërdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Problem për mosrespektimin e gjuhës shqipe na paska qenë harresa e BDI-së. BDI dhe Izet Mexhiti, pas 10 vjetësh në skenën politike, na thonë se shqipen dhe shqiptarët i kanë harruar. Kanë harruar flamurin kombëtar, gjakun e derdhur të shqiptarëve, lotët dhe djersën e shqiptarëve dhe kanë harruar sakrificën e tyre. BDI po harron gjithçka, përveç shërbimit ndaj Gruevskit dhe VMRO-së, ndaj kolltuqeve të tyre dhe familjarëve të tyre”, u shpreh Muhamet Thaçi, kandidat i PDSH-së për komunën e Çairit.

Disa nga drejtorët maqedonas, të ndërmarrjeve publike dhe shtetërore në Shkup, kanë thënë se, për shkaqe teknike, nuk kanë filluar të zbatojnë ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe.

Kreu i Bashkisë së Shkupit, Koce Trajanovski, në disa raste i është shmangur interesit të medias për këtë çështje. Ndërkohë, shoqëria civile ka ngritur padi penale për disa drejtues të ndërmjarrjeve, të cilët mund të dënohen me burg deri në tre vjet, për shkak të moszbatimit të gjuhës shqipe në institucionet që i udhëheqin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA