
E ardhmja e koalicionit qeverisës ndërmjet partisë së kryeministrit Hashim Thaçi PDK dhe AKR-së së zëvëndësit të tij në qeveri, Behxhet Pacollit, mbetet e paqartë.
Largimi i ministrit për FSK-në, Agim Çeku nga drejtimi i partisë së tij e cila ishte në koalicion që para zgjedhjeve me partinë e Pacollit, ka bërë që AKR të kërkojë një ministri tjetër.
Nëse këtë kërkesë nuk e merr parasysh kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi atëherë partia e Pacollit mund të largohet nga koalicioni qeverisës.
Por, në Partinë Demokratike të Kosovës, pavarësisht kësaj situate të re të krijuar, deklarojnë se koalicioni është i qëndrueshëm dhe funksional. Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci shprehet se çështja e një ministrie i takon dy liderëve, Thaçit dhe Pacollit.
Këto zhvillime vijnë në kohën kur PDK dhe AAK kanë shprehur hapur për të formuar një koalicion bashkëqeverisës.
Gjatë së enjtes nga Kuvendi i Kosovës, deputeti i PDK-së Halit Krasniqi i ka bërë ftesë të hapur AAK-së për bashkëqeverisje, duke thënë se partnerin aktual AKR-në e karakterizon mungesa e vizionit politik dhe kjo ka ngjallur reagimin e kryetares së grupit parlamentar të AKR-së, Myzejene Selmani.
“Është koha për të bërë ndryshime në Qeveri dhe në politikat qeverisëse. Për këtë arsye lidershipi karizmatik i AAK-së, duhet të reflektojë realisht për interesat e vendit dhe jo të rrëshqas në kalkulime të papranueshme, për të përvetësuar nga momenti ndonjë objektiv të paarritshëm, sepse edhe nuk mund ta arrijë. Duhet të pranojë bashkëqeverisje të kërkuar”, tha deputeti Halit Krasniqi.
“Të apeloj të shkosh te kryetari i partisë tënde dhe të kuptosh se a do të rrish në koalicion a jo. Dhe shumë më e rrugës është që ti më së pari ke nevojë për vetveten a je për koalicion a nuk je për koalicion?”, reagoi kryetarja e grupit parlamentar të AKR-së, Myzejene Selmani.
Tashmë mbetet të shihet së pari nëse PDK do të marrë parasysh kërkesën e AKR-së për një ministri dhe nëse PDK dhe AAK do të arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje.
Top Channel