
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar rekomandimet
për Konventën mbi luftën kundër trafikimit të organeve, indeve dhe
qelizave me origjinë njerëzore.
Sipas raportimeve të “REL”, kjo Konventë pas miratimit do të jetë instrumenti i parë ligjor detyrues që ka të bëjë me trafikimin e organeve.
Rekomandimet e miratuara në projekt/konventë kanë të bëjnë me masat parandaluese të trafikimit të organeve, me mbrojtjen e viktimave dhe bashkëpunimin nacional e ndërkombëtar kundër këtij krimi.
Raportuesi Bernard Marquet, në një sesion të Asamblesë Parlamentare, tha se pas dyshimeve për trafikim organesh në Kosovë dhe rezolutës së Dick Marty është konstatuar nevoja për një instrument ligjor ndërkombëtar për të luftuar këtë fenomen.
“Mendoj se ky është një raport i rëndësishëm, por është vetëm hapi i parë dhe vlerësoj se përmes guximit tuaj do të kemi sukses në këtë detyrë”, u shpreh ai.
Në të njëjtën kohë, Këshilli i Evropës, i paralajmëruar nga rrëfimet e Carla del Ponte në librin e saj, ka nisur hetimet mbi dyshimet për trajtim çnjerëzor dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë.
Asambleja Parlamentare ra dakord më pas, se për këtë duhet një instrument ligjor ndërkombëtar. Konventa do të jetë detyruese dhe do të bëjë pjesë në mesin e ligjeve penale.
Top Channel