Athina do të mbetet edhe të enjten pa rrjetin e saj metropolitan, për të
tetën ditë rresht, për shkak të grevës së punëtorëve të ndërmarrjes së
transportit.

Këta protestojnë kundër vendimit të qeverisë për të përfshirë edhe ata në sistemin unik të shpërndarjes, bashkë me punonjësit e sektorëve të tjerë publikë dhe kompanive gjysmështetërore.

Nga ana e saj qeveria e drejtuar nga Andonis Samaras paraqitet e vendosur për të zbatuar ligjin që kërkon kthimin e menjëhershëm në punë të punëtorëve.

Situata në Greqi është ende shumë e vështirë, balancat sociale dhe politike janë të brishta, borxhi është shumë i lartë dhe konkurrenca e ekonomisë tepër e dobët.

Për herë të parë ekspertët e FMN-së kanë pranuar se reformat dhe reduktimet e pagave dhe pensioneve e kanë çuar vendin në një rreth vicioz, ku ekonomia vazhdon të tkurret ende për të pestin vit rresht.

Analistët vendas të ekonomisë theksojnë se megjithëse brenda një muaji Greqia ka marrë më shumë se 46 miliardë euro, nuk ka asnjë shenjë për ripërtëritjen e ekonomisë, pasi shumica e parave kanë shkuar për rimëkëmbjen e sistemit bankar.

Ndërkohë, mijëra biznese mbyllen çdo ditë, nuk është bërë ende asnjë investim, ndërsa në muajin e fundit papunësia është rritur me 9.1% në krahasim me dhjetorin e një viti më parë.

Top Channel