Rëndohet më tej gjendja e rrugës nacionale nga Borshi në Lukovë, e cila një ditë më parë ka paraqitur vështirësi në qarkullimin e saj.

Për shkak të rrëshqitjes së masiveve të dheut dhe të çarjes së asfaltit në përmasa të mëdha, rruga ka qenë e kalueshme vetëm për autoveturat dhe krejtësisht e pakalueshme nga automjetet e tonazhit të rëndë.

Situata është rënduar më tepër. Pas shirave të natës së mbrëmshme, rruga në këtë segment është bërë e pakalueshme për çdo lloj automjeti, duke penguar kështu qarkullimin e tyre.

Banorët e zonës janë përpjekur vetë të marrin disa masa,  duke bërë mbushjen me dhe të kanalit të krijuar në mes të asfaltit pas shembjes, por kjo jo vetëm që nuk e ka zgjidhur problemin, por ka krijuar rreziqe të reja për automjetet që kanë tentuar të kalojnë në këtë aks.

Banorët janë shprehur të indinjuar prej neglizhencës së autoriteteve. Rrëshqitja që po përparon nga momenti në moment kërcënon tri shtëpi buzë rrugës nacionale.

Nënprefekti Gjergji Mano ka kërkuar nga Ministria e Brendshme mbështetje financiare për të kryer ndërhyrje rehabilituese sa më të shpejtë.

Ndërkohë është përsëritur kërkesa ndaj tre familjeve  me banesa më pranë rrezes së shkarjes së dheut, që ato të shvendosen, pasi thellimi i rrëshqitjes së terrenit, është vlerësuar kërcënues për jetën e tyre.

Vetëm njera prej këtyre familjeve ka nisur ditën e enjte zhvendosjen e pjesëtarëve të familjes dhe pajisjve më të domosdoshme.

Vështirësi në rrugë nga bora

Mbrëmjen e së mërkurës dhe mëngjesin e së enjtes reshje të konsiderueshme dëborë kanë mbuluar pothuajse gjithë zonën jug-lindore të vendit. Për pasojë janë krijuar vështirësi në lëvizje në disa akse nacionale, por edhe në rrugët e thella malore të qarkut të Korçës.

Drejtoritë e rrugëve kanë nisur punën për hapjen e kalimit, ndërsa raportohet se në disa akse duhen përdorur zinxhirët për shkak të trashësisë së dëborës në rrugë.

Gjatë mbrëmjes u bllokua aksi Korçë-Gramsh, për shkak të shëmbjes së një masivi shkëmbor në zonën e quajtur “Molla e Grabovës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB