Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga vlerëson se takimi i saj me homologun serb Tomislav Nikoliç është përkrahje për gjithë procesin e dialogut, që po udhëhiqet nga qeveritë e të dyja vendeve dhe të zbatimit të marrëveshjeve të arritura.
“Takimi i paralajmëruar për një kohë të gjatë pritet të mbahet shumë shpejt”, konfirmohet në një komunikatë të Presidencës kosovare, duke mos përcaktuar datë apo ditë të saktë.
Nga ana tjetër, këshilltarë të presidentes Jahjaga kanë thënë se gjasat janë, që ky takim të mbahet në muajin shkurt apo mars. Sipas Arbër Vllahiut, të gjitha modalitetet, si koha e ora, po harmonizohen nga Bashkimi Europian.
Nga ana tjetër, presidentja Jahjaga, këtë të mërkurë, është informuar nga kryeministri Hashim Thaçi edhe për zhvillimet e dialogut.
Sipas njoftimit për shtyp, presidentja Jahjaga e vlerësoi takimin, ndërmjet dy kryeministrave në Bruksel, si të suksesshëm, me kontribut të rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe të Serbisë, në përmirësimin e jetës dhe të punës së qytetarëve të të dyja vendeve dhe në rrugën tonë të integrimeve europiane.
Top Channel