Faktori politik në Kosovë ka mirëpritur miratimin e Rezolutës për Kosovën nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës.

E miratuar me 115 vota pro dhe 11 kundër, rezoluta në fjalë rekomandon që Kosova dhe Këshilli i Europës të vendosin raporte të drejtpërdrejta dhe kjo vlerësohet si arritja e parë konkrete e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë këshill.

“Është një rezolutë që po të shikohet në një formë tjetër është e tillë që krijon raporte të reja mes të Kuvendit të Kosovës dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit Evropës dhe ky është një hap pozitiv i saj. Për të tjerat ata kanë dhënë mendimin e tyre dhe ne nuk mund të ndryshojmë”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci e sheh miratimin e rezolutës si rezultat i angazhimit të institucioneve dhe në përgjithësi të jetës politike në Kosovë.

“Rezoluta e miratuar është më e avancuar, më pozitive sesa rezolutat e mëhershme. Është një hap serioz që po i hapet Kosovës. Po i hapet rruga e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, që ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe”, ka thënë Grabovci.

Në partinë opozitare, në LDK, mendojnë se kjo meritë nuk duhet t’i atribuohet qeverisë, por qytetarëve të Kosovës.

“Sigurisht që kjo rezolutë është e mirëpritur për ne. Pa dyshim që nuk do të duhej që kjo t’i atribuohej qeverisë së Kosovës, por qytetarëve të Kosovës, për sjelljen dhe nivelin që kanë treguar ndaj zhvillimeve të ndryshme”, ka thënë Ismet Beqiri, kryetar i grupit të LDK-së.

Po ashtu, përmes kësaj rezolute vlerësohet pozitvisht dialogu Kosovë-Serbi, por kritikohen autoritetet kosovare se nuk kanë bërë sa duhet në zbatimin e ligjeve për të drejtat e njeriut dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Top Channel