Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i kërkon shteteve të Kuintit dhe  përfaqësuesve të  tjerë ndërkombëtarë në Kosovë që të deklarohen sa më shpejt në lidhje me zhvillimet në Preshevë.

Në një takim me përfaqësuesin e BE-së, Samuel Zhbogar dhe ambasadorët e shteteve të Kuinitit në Kosovë, kryeministri Hashim Thaci ka deklaruar: “Unë jam i bindur që ky ka qenë veprim i qëllimshëm i Daçiçit, për të zhvendosur vëmendjen dhe për të provokuar reaksione në Kosovë ka deklaruar kryeministri duke theksuar më tej  se Serbia i është kthyer sërish skenarit të vjetër për ndarje dhe shkëmbim territoresh. Veprimet në Preshevë janë pikërisht në funksion të këtij skenari”, ka thënë Thaci përfaqësuesve ndërkombëtarë.

“Unë e kam thënë shumë herë, që ne nuk jemi të përgjegjshëm vetëm para vendit tonë, por edhe para rajonit. Nuk kam nevojë t’iu flas juve për pasojat katastrofike që do të prodhonte tendenca për ndryshim kufijsh në Ballkan. Andaj, edhe deklarimi  juaj i shpejtë dhe i qartë për këtë çështje është i domosdoshëm”, ka kërkuar kryeministri Thaçi, sic citohet në një komunikatë për shtyp të shpërndarë nga kryeministria.
 
Në takim, kryeministri Thaçi ka bërë një prezantim të rezultateve të takimit të fundit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Baroneshën Catherine Ashton dhe me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel.

“Duke ruajtur karakterin unitar të sistemit doganor të Kosovës, ne themeluam fondin për zhvillimin e veriut të vendit. Të gjitha të ardhurat nga doganat, akcizat dhe TVSH-ja në pikat 1 dhe 31 do të mblidhen sipas ligjeve të Kosovës dhe do të derdhen në thesarin e shtetit”,  ka theksuar kryeministri Thaçi.

“Më tej Thaçi ka sqaruar se  përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë do të hapë një llogari bankare në një nga bankat komerciale në Prishtinë, ku do të menaxhohen mjetet nga pika 1 dhe 31. Fondi do të drejtohet nga një bord 3 anëtarësh, një përfaqësues nga komuniteti, një nga Qeveria dhe një nga Bashkimi Europian. Vendimet për investimet kapitale dhe infrastrukturore merren me konsensus nga anëtarët e bordit, e në mungesë të tij, vota e përfaqësuesit të BE-së është përcaktuese”, ka sqaruar kryeministri Thaçi.

Kosova i qëndron besnike axhendës së paracaktuar nga zonja Ashton dhe ne besojmë që vetëm dialogu mund të shpie në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe tërë rajonit,  u shpreh në fund të takimit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi akuza Daçiç

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi akuzon kryeministrin serb Ivica
Daçiç se me anë të heqjes së lapidarit në Preshevë po kërkon të
aktualizojë propozimin e tij për shkëmbim territoresh.
 

Në një intervistë në shtypin e ditës në Prishtinë, kryeministri e quan të qëllimshëm heqjen e lapidarit pas takimit të 17 janarit në Bruksel mes tij dhe homologut serb.

“Ka pritur të mbahet takimi, në të cilin Serbia është detyruar të bëjë një konçension shtesë ndaj Kosovës për pranimin e sistemit tonë doganor, të administratës tatimore dhe të regjistrimit të bizneseve”, shprehet Thaçi në një intervistë për gazetën “Expres”.

Sipas kryeministrit kosovar, Daçiç, i vetëdijshëm për efektin e kësaj marrëveshjeje në opinionin publik në Serbi dhe te serbët e veriut, ka bërë efektin taktik për të zhvendosur vëmendjen e opinionit.

Por Thaçi kritikon edhe mënyrën si reaguan shqiptarët e Presheves, më saktë mosreagimin e tyre. “Çfarë ndodhi ditën kritike të heqjes së monumentit? Qoftë një qytetar i vetëm, lëre më liderët politikë të Luginës së Preshevës, nuk u shfaq te monumenti për të bërë përpjekjen më të vogël për ta mbrojtur atë”, thotë Thaçi.

Sipas tij, monumenti duhet të mbrohej në mënyrë paqësore 24 orë në ditë nga qytetarët e organizuar derisa të arrihej marrëveshja e pranueshme për shqiptarët.

“Serbia në asnjë mënyrë nuk do të kishte mundur të përdorte dhunë, pasi serbët gjendeshin nën presionin ndërkombëtar”, thotë kryeministri kosovar.

Si shembull ai sjell situatën me barrikadat në veri të Kosovës, ku sipas tij, vetëm sepse ato mbrohen nga mburoja njerëzore, një shtet demokratik apo dhe NATO nuk mund të ndërhyjë duke shkelur mbi trupa njerëzish për të hequr disa tonelata gurë.

“Prandaj zgjidhja kërkohet përmes dialogut”, thekson më tej Thaçi, i cili shton se, pikërisht zgjidhjen përmes dialogut ua kishte udhëzuar edhe liderëve shqiptarë në Preshevë.

Top Channel