
Plot 100 nene nga 136 që janë në total të projekt-ligjit për mediat audiovizive, kanë kaluar në Komisionin e Medias dhe Arsimit. Kryetarja e këtij komisioni Valentina Leskaj, tha se është shumë e rëndësishme që të parashikohet kostoja në buxhet për kalimin nga transmetimet analoge në dixhitale, një kusht i përcaktuar nga Bashkimi Europian.
“Ne nuk kemi sot një kosto të procesit të dixhitalizimit, që është një objektiv i qartë i përcaktuar edhe ku fillon edhe ku mbaron. Kjo do të thotë që më 17 qershor, Shqipëria duhet të ketë kaluar tërësisht në transmetimet dixhitale ku brenda është edhe operatori publik. Edhe në buxhetin e këtij viti, nuk ka asnjë lek përsa i përket teknologjisë. Unë e shoh shumë të vështirë që ne të përcaktojmë një kuotë fikse”, tha zonja Leskaj.
Drejtuesja e KKRT-së, Endira Bushati ka thënë se janë me dhjetra televizione që prej më shumë se një viti nuk paguajnë detyrimet financiare dhe ndaj tyre nuk mund të merret asnjë masë. Deputeti Alfred Dalipi propozoi që çdo televizion i cili nuk paguan detyrimet vjetore për licensën ndaj AMA-s, brenda një viti buxhetor duhet t’i hiqet licensa.
“Ajo që na ka krijuar një handikap në punën e AMA-s, autoritetit rregullator në raport me operatorët e licensuar është që ata nuk paguajnë detyrimet karshi licensës. Atëherë ne mund ta vëmë një kusht për të hequr licensën”, tha deputeti i PS, Alfred Dalipi.
Zoti Dalipi propozoi që gjatë peridhës 6-mujore të zgjedhjeve të mos jepet asnjë licensë. Të gjitha nenet problematike të këtij projekt-ligji që prej 7 vitesh qendron në komision, jane lënë për t’u diskutuar pas kalimit nen për nen të projekt-ligjit.
Top Channel