Në një debat me eurodeputetët e Komisionit të jashtëm të Parlamentit Europian, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm irlandez, Eamon Gilmore paraqiti një program ambicioz në lidhje me politikën e zgjerimit, si një prej prioriteteve të kryesimit irlandez të BE-së në gjashtë muajt e parë të këtij viti.

“Viti 2013 ka të ngjarë të jetë një vit ngjarjesh për politikën e zgjerimit të BE-së. Gjatë viteve të fundit, ndërsa presidencat e simestrit të parë nuk kanë punuar shumë me zgjerimin, ishte presidenca daneze që e ndryshoi këtë me vendimet për Serbinë dhe Malin e Zi”, deklaroi Gilmore.

“Konkluzionet që Këshilli miratoi në dhjetor lejojnë mundësinë për vendime të ngjashme të rëndësishme për Maqedoninë, Serbinë, Kosovën, e ndoshta edhe për Shqipërinë, gjatë kryesimit të Irlandës. Dhe sigurisht që ne pritet të shohim përfundimin e rrugëtimit të Kroacisë drejt BE-së, me anëtarësimin e saj më 1 korrik”, vijoi ai.

Pas raportimit të ndërmjetëm të Komisionit në pranverë për ecurinë e Maqedonisë, të Serbisë dhe të Kosovës, ndërsa për Shqipërinë, me t’u plotësuar masat e rekomandimit të kushtëzuar të tetorit, marrja me unanimitet e vendimeve nga 27 vendet anëtare mund të bëhet gjatë samitit të qershorit.

Megjithë vullnetin e mirë të Irlandës, nëse ndërkohë Shqipëria plotëson kushtet e Komisionit, qëndrimi i disa vendeve të rëndësishme anëtare për kushtin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të cilat pritet të zhvillohen po në muajin qershor, zbeh shanset e vendit për përfitimin e statusit para plotësimit të standartit të zgjedhjeve.

Top Channel