
Ka përfunduar pa asnjë marrëveshje takimi mes kryeministrit Nikolla Gruevski dhe liderit të opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski, i thirrur për të diskutuar në lidhje me krizën politike në vend.
Kryeministri Gruevski tha se lideri i opozitës në takim nuk ka pranuar të diskutojë për asnjë çështje tjetër nëse pushteti nuk pranon kërkesën për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Në takim erdhëm pas një analize disa ditore për Kodin Zgjedhor dhe rekomandimet e OSBE-së për zgjedhjet, por për fat të keq nuk patëm mundësi që të diskutojmë për këto cështje sepse Cërvenkovski vendosi ultimatum që të mos diskutohet për asgjë tjetër nëse nuk e pranojmë kërkesën e tyre për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, tha ai.
Lideri i opozitës maqedonase Branko Cërvenkovski përsëriti edhe një herë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të domosdoshme pasi sipas tij, institucionet në Maqedoni kanë humbur legjitimitetin pas ngjarjeve të dhunshme që ndodhën në Kuvend muajin e kaluar.
“Në takim Gruevski u soll sikur të mos kishin ndodhur ngjarjet e dhunshme në Parlament muajin e kaluar. Ai propozoi që ne të kthehemi në Kuvend dhe të marrim pjesë në zgjedhjet locale. Por, unë i thash se pas dëbimit të dhunshëm të deputetëve të opozitës, Parlamenti ka humbur legjitimitetin e institucionit demokratik. Dalja e vetme nga kjo krizë politike janë zgjdhjet e parakohshme parlamentare”, deklaroi lideri i opozitës maqedonase.
Cërvenkovski paralajmëroi se do të vazhdojë me protesta ndërsa në mënryë të prerë u shpreh se partia e tij do të bojkotojë zgjedhjet locale. Nga ana tjetër, kryeministri Gruevski tha zgjedhjet lokale do të mbahen pa marrë parasysh nëse LSDM do të merr pjesë ose do ti bojkotojë ato.
Top Channel