Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka pritur të mërkurën në një takim kryeministrin Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku dhe nga koordinatori politik në dialogun me Serbinë, Blerim Shala.
Sipas një komunikate për shtyp nga Presidenca, kryeministri Thaçi e informoi presidenten Jahjaga për proçesin e dialogut me Republikën e Serbisë, për takimin e fundit me homologun serb dhe për marrëveshjet e arritura në secilën fushë.
Presidentja Jahjaga tha se takimi ndërmjet dy kryeministrave në Bruksel ishte një sukses në arritjen e marrëveshjeve, që kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve të dy vendeve.
Ndërkohë, ajo shtoi se takimi mes saj dhe presidentit të Serbisë, që do të mbahet së shpejti, është përkrahje për gjithë proçesin e dialogut që po udhëhiqen nga qeveritë e të dyja vendeve dhe të zbatimit të marrëveshjeve të arritura.
Në takimin e fundit Thaçi-Daçiç u arrit një marrëveshje e përkohshme për mbledhjen e taksave doganore, akzicës dhe TVSH-së në pikëkalimet mes dy vendeve.
Në takimin e ardhshëm, i cili pritet të mbahet në mes të muajit shkurt, dy kryeministrat janë pajtuar të zhvillojnë një dialog intensiv për zgjidhjet për veriun e Kosovës.
Top Channel