Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka ftuar liderin e Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Branko Cërvenkovskin në një takim për të tejkaluar krizën politike në vend.

Në letrën dërguar liderit të opozitës maqedonase, Gruevski shkruan se takimi është në kontekst të sfidave që ka shteti dhe të cilat kërkojnë shqyrtim të përgjegjshëm dhe serioz. Sipas shefit të qeverisë maqedonase, vendi në të kaluarën është ballafaquar me sfida të ndryshme, të cilat me qasje të përgjegjëshme ka arritur t’i kapërcejë.

Reagimi i Branko Cërvenkovskit ndaj thirrjes së kryeministrit ka qenë i menjëherëshëm. Ai ka pranuar ftesën duke thënë se është e domosdoshme arritja e një marrëveshje politike e cila do ta kthejë Maqedoninë në drejtimin e duhur.

Kreu social-demokrat është optimist se tek kryeministri Gruevski vërtetë ekziston vullnet politik për të pranuar kushtet e opozitës dhe për të organizuar zgjedhje të rregullta dhe demokratike.

Takimi mes Gruevskit dhe Cërvenkovskit pritet të mbahet të martën pas mesdite. Mësohet se ky takim është nxitur nga diplomatët ndërkombëtarë në Shkup, të cilët kërkojnë t’i jepet fund krizës politike në Maqedoni, që u shkaktua muajin e kaluar pas dëbimit me dhunë të deputetëve të opozitës nga Kuvendi  gjatë seancës për miratimin e buxhetit.

Top Channel