Një grup banorësh serbë dhe tregtarësh të kësaj etnie kanë protestuar
mëngjesin e së martës në veri të Kosovës, duke bllokuar përkohësisht
rrugën kryesore Prishtinë-Zubin Potok.

Sipas raportimeve të “REL”, manifestuesit kanë kërkuar largimin e doganierëve kosovarë nga kalimi kufitar i Bërnjakut, ku ata punojnë bashkë me agjentët serbë.

Lajmi është konfirmuar edhe nga një zëdhënës i EULEX-it, Blerim Krasniqi, i cili ka bërë të ditur se një autokolonë e misionit evropian e drejtuar për në këtë pikë kufitare u ndalua në hyrje të Zubin Potokut nga protestuesit.

Ata përdorën një kamion për të bllokuar rrugën, por agjentët e misionit ndoqën një rrugë tjetër për të arritur në destinacionin e tyre, ka saktësuar zëdhënësi.

Sipas tij, herë pas here stafi i misionit evropian dhe agjentët kosovarë të doganës hasin rebelimin e serbëve të veriut, që përpiqen të pengojnë punën e tyre.

Pavarësisht marrëveshjeve të arritura në Bruksel, serbët e Kosovës vazhdojnë të kundërshtojnë praninë shqiptare në veri, ndoshta me “bekimin” e Beogradit zyrtar, që refuzon të tërheqë strukturat paralele.

Vetë kryeministri serb Ivica Daçiç deklaroi javën e kaluar se, Serbia nuk do t’i largojë kurrë strukturat e saj në këtë zonë dhe se nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Në takimin e tyre të fundit, kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë arritën një marrëveshje të përkohshme për mbledhjen e taksave doganore, akzicës dhe TVSH-së në pikë-kalimet mes dy vendeve.

Top Channel