
Më 26 janar, duke filluar në ora 14:00, Lëvizja Vetëvendosje do të protestojë në Prishtinë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ndaj fton qytetarët që t’i bashkohen protestës.
Përmes kësaj proteste do të kërkohet që të respektohen të drejtat e shqiptarëve, e lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-së të kthehet në vendin e tij si dhe qeveria e Kosovës të ndërpresë dialogun me Serbinë.
Po ashtu, përmes protestes do të kërkohet që: të kthehet Rezoluta e Kuvendit të Kosovës ku kërkohet ndalimi i mallrave serbë në Kosovë dhe të ndërmerren veprime konkrete për shtrirjen e sovranitetit në veri të Kosovës.
“Suksesi i kësaj proteste do të dërgonte zë të fuqishëm edhe tek Qeveria e Kosovës për hapat që duhet të ndërmarrë tani, te bashkësia ndërkombëtare dhe te Serbia, që vërtetë shqiptarët mendojnë si një dhe nuk janë të vetëm në asnjë territor, por të bashkuar”, deklaroi Shpend Ahmeti, nënkryetar i Vetëvendosjes.
Drejtuesit e Vetëvendosjes kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për siç thanë braktisje të të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ndërsa vazhdimi i dialogut tani është irracional, u shprehën ata.
“Me këto negociata qeveria jonë nuk po e mbron as Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin, por në anën tjetër as veriun e Kosovës. Kurse Serbia, në njërën anë po i mban strukturat e saj kriminale në veriun e Kosovës, e në anën tjetër po e thellon edhe më tutje shtypjen e Luginës së Preshevës dhe të dyja këto po i bën njëkohësisht, duke i kaluar një nga një edhe stacionet drejt integrimeve europiane”, tha deputeti i VV, Glauk Konjufca.
Vetëvendosje i bëri thirrje dy qeverive, në Prishtinë dhe Tiranë që të angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në këtë pjesë.
Drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje edhe këtë protestë kanë vendosur ta mbajnë pa lejen e Policisë së Kosovës, duke arsyetuar këtë vendim me të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Top Channel