Eurodeputetët e Komisionit të Jashtëm zhvilluan në Bruksel debatet fillestare për rezolutat mbi ecurinë e Serbisë dhe Kosovës drejt BE-së. Përveç arritjeve dhe sfidave të përcaktuara në raport-progreset e fundit të Komisionit, debatet u fokusuan te rezultatet e dialogut mes dy vendeve.
“Katër takime në pak muaj, mes Daçiç dhe Thaçit, është me të vërtetë një rekord që duhet vlerësuar, mirëpritur si dhe duhet përdorur si udhërrëfyes për vende të tjera fqinje”, tha Jelko Kacin, raportuesi i PE për Serbinë.
“Mendoj se publiku, apo institucione si Parlamenti Europian, kanë të drejtën të kenë informacione mbi dialogun që po zhvillohet. Nëse ka mungesë informacioni, njerëzit kanë tendencë të spekulojnë, e kjo mund të sjellë dyshime dhe shqetësime të panevojshme, prandaj Baronesha Ashton duhet ta adresojë këtë çështje”, tha Eduard Kukan, kreu i delegacionit të PE për Ballkanin.
Për Kosovën, ndër të tjera, u debatua për çështjen e mosnjohjes nga pesë vende anëtare të BE-së, të cilat inkurajohen sërish të njohin pavarësinë e Kosovës, kësaj here, edhe nga sllovaku Eduard Kukan.
“Dëshiroj t’ju kujtoj faktin se, në dy rezolutat e mëparshme mbi Kosovën, ne kemi bërë thirrje dhe kemi inkurajuar pesë vendet që mbeten, që ta njohin shtetin dhe pavarësinë e Kosovës. Unë dua të këmbëngul në këtë dhe uroj se do të kemi një shumicë në Parlament, që do të votojë me mua”, tha Ulrike Lunacek, raportuese e PE për Kosovën.
“Për vendet që nuk e njohin Kosovën, e që iu bëhet thirrje ta bëjnë, unë mendoj se ky lloj inkurajimi nuk është jo-konstruktiv”, tha Eduard Kukan.
Debatet për rezolutat mbi Serbinë dhe Kosovën do të vijojnë edhe në javët që vijnë, para votimit në seancë plenare. Ndërkohë, në pranverë, Komisioni Europian pritet t’i raportojë vendeve anëtare për nivelin e plotësimit të kushteve nga dy vendet, me synimin e përcaktimit të një date për çeljen e negociatave për anëtarësim me Serbinë dhe nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën.
Përgatiti: Arta TOZAJ
Top Channel