
Përballë studentëve në një bashkëbisedim me ta, Ilir Meta ka deklaruar se pozicionimi i LSI-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të vendoset në muajin prill nga Konventa Kombëtare e kësaj force politike.
“Ajo që do të vendosë është Konventa e LSI-së në muajin e prill, e cila përbëhet nga 2300 delegatë dhe sigurisht që do të jetë një vendim i mirëdebatuar dhe konsultuar. Një gjë do të siguroj që ne në 23 qershor, ne nuk duam të jemi as ‘Kingmaker’ as ‘Queenmaker’, por dicka më shumë”, tha Meta.
Zoti Meta i pyetur nga studentët e cilësoi demagogji politikën e opozitës në lidhje me taksat e më konkretisht me propozimin e saj për taksën progresive.
“Mendoj se ky ka nisur si një debat thjesht për të bërë debat dhe për të treguar disa ndryshime dhe për të bërë pak demagogji, sepse thuhet shpesh se do t’ua marrim paratë të pasurve dhe do t’ua japim të varfërve. Aq më tepër, propozime të tilla në këtë kohë krize të përgjithshme është e rëndësisshme të vijnë pas studimeve të plota sepse për cdo program duhet të ketë një faturë”, deklaroi Meta.
Kreu i LSI-së u ndal edhe tek politikat e punësimit dhe tek domosdoshmëria për afrimin e sa më shumë të rinjëve dhe angazhimin e tyre në sektorët kyç të drejtimit të vendit.
Top Channel