Një investigim i Fiks Fare ka treguar se si vidhet cdo ditë kromi në minierat legale dhe ilegale në veri të vendit nga një rrjet i tërë i ngritur mbi korrupsion që nis nga instancat më të larta deri policët e thjeshtë.

Në disa edicione rresht Fiks Fare denoncoi mënyrën se si punohet pa leje dhe licensë në galeritë e Bulqizës dhe minerali transportohet për në Durrës me dokumenta false apo duke përdorur dokumentat e firmave të tjera.

E gjitha kjo ndodh në mes të ditës dhe asnjë institucion shtetëror nuk ka reaguar edhe pasi Fiks Fare denoncoi me pamje, fakte dhe emra rastet e kësaj vjedhje.

Në Bulqizë firmave të vogla të shfrytëzimit të kromit u janë kërkuar deri në 100 mijë euro për licensim e në pamundësi për t’i paguar disa prej tyre punojnë ilegalisht vetëm sipas ligjit të më të fortit.

Një rast konkret është denoncuar nga Fiks Fare në Has. Një firmë e licensuar për kërkim dhe nxjerrje kromi pengohet nga dy efektivë të policisë, ndërsa ilegalisht kromi merret pa asnjë leje, depozitohet e më pas transportohet me dokumenta false në Kosovë apo edhe në Durrës.

Në Portin e Durrësit Fiks Fare realizoi një investigim se si punonjësit në këtë port në shkëmbim të parave të siguronin vendin e depozitimit të kromit të nxjerrë dhe transportuar ilegalisht.

Denoncimi është bërë me fakte, filmime konkrete dhe me emra. Disa ditë pas këtij denoncimi asnjë organ shtetëror nuk ka reaguar duke nisur nga Ministria, drejtoritë përkatëse të burimeve natyrore dhe as policia e prokuroria.

Kjo është situatë që ka kalbur në korrupsion pothuajse të gjitha instancat shtetërore dhe që vazhdimisht shkakton tragjedi të rënda duke e kthyer kromin, nga një pasuri e madhe kombëtare në një mallkim për disa njerëz.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB