Parlamenti nisi sesionin e VIII-të të Legjislaturës së VII-të me votimin për kreun e ri të ILDKP-së. Zana Xhuka, ish-zëvendësministre e Mbrojtjes, do të drejtojë postin e lënë bosh nga Adriatik Llalla, që u zgjodh prokuror i përgjithshëm.

Me 70 vota pro dhe 67 kundër, ku sërish deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë votuar kundër mazhorancës së djathtë pjesë e së cilës janë, Zana Xhuka ka mundur të marrë shumicën kundrejt kandidatit tjetër të propozuar Shkëlqim Ganaj.

Të kontaktuar në telefon deputetët e LSI thanë për Top Channel se ishin pro kandidatit tjetër si inspektor prej shumë vitesh në këtë institucion, ndaj dhe votuan kundër.

Ky sesion, që është edhe i fundit për këtë legjislaturë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit, u hap nga fjala e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila sërish vuri në fokus të deklarimit të saj ftesën për të votuar tre ligjet e shumëpërfolura të integrimit.

Në seancë nuk mungoi kryeministri Berisha që si rrallë herë nuk mori fjalën, pavarësisht replikave në distancë me deputetët e opozitës, të cilët i rikërkuan kreut të qeverisë që t’i përgjigjet kërkesave të tyre për interpelancë mbi privatizimet.

Top Channel