Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç do të takohen gjatë muajit shkurt, ka deklaruar për mediat në Prishtinë këshilltari i lartë i presidentes, Ramush Tahiri.

Tahiri ka thënë se data e takimit është caktuar, por për shkak të angazhimeve të përfaqësuesve ndërkombëtarë ajo mund të shtyhet.

“Takimi do të ndodhë gjatë shkurtit ose në fillim të marsit, por data mund të ndryshojë nga ana e përfaqësuesve ndërkombëtarë”, ka thënë Tahiri.

“Në takim do të flitet për dialogun mes dy vendeve. Presidentët nuk mund të ngrenë çështje të reja, por do t’u japin shtysë çështjeve të hapura”, ka shtuar ai.

Por ndryshe nga mediat kosovare, ato në Beograd, duke iu referuar zyrës së shtypit të presidencës serbe, thonë se nuk ka informacione për një takim të tillë.

Kohë më parë presidentja Jahjaga kishte deklaruar se ishte e gatshme të takohej me këdo, përfshirë homologun serb, për interesat e Republikës së Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA