
Dy shishe me koktej molotovi janë hedhur para ndërtesës së ashtuquajtur Komuna e Veriut, në zonën e “Tre Rrokaqiejve” në veri të Mitrovicës, njofton policia e Kosovës.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 20:50 të së dielës, ndërsa Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës është informuar përmes një njoftimi nga punëtorët e sigurimit të ndërtesës.
Në vendngjarje, veç njësive patrulluese policore, kanë shkuar edhe njësitë e hetuesve dhe teknikëve të kriminalistikës, të cilët kanë marrë si pjesë të provave materiale copëza të thyera të dy shisheve.
Shishet besohet të kenë qenë të mbushura me përzierje lëndësh djegëse dhe që janë hedhur në afërsi të godinës, por që për fat të mirë nuk janë ndezur.
Njësitë policore të stacionit në veri të Mitrovicës menjëherë kanë shtuar veprimet operative të kontrollit me qëllim ngritjen e pranisë policore me strukturë të përzierë etnike, në zonën e banuar po ashtu me popullatë të përzierë, për të parandaluar ndonjë incident apo reagim të mundshëm.
Hetimet lidhur me motivin dhe identifikimin e personave të dyshuar të këtij akti janë duke u ndjekur nga hetuesit policorë në Mitrovicë, ndërsa rasti është regjistruar si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Top Channel